Blog

Ceremonia e Certifikimit të Studentëve - projekti People First

Më 6 Shkurt, 2018, në orën 14:00, në Hotel “Tirana International”, Salla “Consortium” u zhvillua ceremonia e diplomimit dhe shpërndarjes së certifikatave, për 100 studentët më të mirë të Akademisë së Turizmit “People First”, një Projekt i mundësuar nga The HeadHunter, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Ambasada e Suedisë në Shqipëri.

Projekti “People First - Rritja e Turizmit përmes Burimeve Njerëzore të Kualifikuara” është një qasje e fokusuar në rritjen e kualifikimit të burimeve njerëzore, për të stimuluar rritjen e punësimit në sektorin Shqiptar të Turizmit. The Headhunter është një kompani private e cila ndihmon në ndërlidhjen e Shqiptarëve me punët e turizmit nëpërmjet trainimit, këshillimit të karrierës dhe punësimit të të rinjve.  Rreth 2,000 të rinj do të trainohen, kryejnë praktika mësimore dhe punësohen në profesione të ndryshme, pranë bizneseve të Hoteleri - Turizmit në Shqipëri, përgjatë periudhës 2-vjeçare të zbatimit të Projektit.

Projekti ka krijuar partneritete ndërmjet studentëve-punonjës potencialë, Drejtorive Rajonale të Formimit Profesional dhe bizneseve të Hoteleri-Turizmit, pra ka krijuar shtigjet për punonjësit e ardhshëm – në mënyrë të veçantë për të rinjtë dhe gratë – që të marrin njohuri dhe të hyjnë mes forcave të punës, Projekti është i përqëndruar në pesë vendndodhje turistike në Shqipëri: Në Tiranë, në Rivierën Jugore, në korridorin Durrës-Kavajë, në Shkodër-Alpet shqiptare dhe në Qarkun e Korçës, duke përfshirë Liqenin e Ohrit, Pogradecin dhe Voskopojën.

Gjithashtu, The Headhunter ka çelur “Akademinë e Turizmit” në “HH Boutique” Hotel, i ndodhur në pikën turistike të Dhërmiut, për t’i shërbyer qëllimit të Projektit. “HH Boutique” Hotel operon si një biznes i mirëfilltë hotelerie dhe restoranti, por stafi është i përbërë nga kursantët e rinj që kryejnë aty praktikën mësimore.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Shkëlqesia e tij, Z. Donald Lu dhe Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij, Z. Johan Ndisi, mbështetën dhe ishin pjesëmarrës në këtë eveniment dhe gjithashtu, përfaqësues të autoritetve të larta Shtetërore si, Z. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Zj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Z. Artur Micko, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, ishin të pranishëm në aktivitet.  Gjithashtu, një numër i lartë i mediave lokale ishin prezente për të pasqyruar aktivitetin.

Z. Elton Ilirjani, Themelues dhe Drejtues Ekzekutiv i The HeadHunter Group, hapi aktivitetin duke falënderuar të pranishmit, donatorët, studentët, autoritetet shtetërore dhe bizneset e Hoteleri-Turizmit anembanë Shqipërisë, të cilët mbështesin Projektin, dhe ia dha fjalën të ftuarve të nderit; Z. Donald Lu, Z. Johan Ndisi, Zj. Lindita Nikolla dhe Z. Arben Ahmetaj, të cilët, pasi përgëzuan arritjet e deritanishme të Projektit, iu shpërndanë certifikatat studentëve më të mirë. Gjithashtu, Drejtori i Projektit, Z. Besart Kondi, iu dorëzoi certifikatat disa prej studentëve më të mirë.

Më pas, The HeadHunter dhe studentët, iu dhuruan të ftuarve të nderit kurrikulat e kurseve për të gjitha profesionet e Hoteleri-Turizmit.

Aktiviteti u mbyll me një kokteil ku moren pjesë të gjithë të ftuarit dhe pjesëmarrësit.