Ja ç'thotë shkrimtari i madh libanezo-amerikan Khalil Gibrani për Punën:
Ju punoni qe te mund te ruani paqen me Tokën dhe shpirtin e saj. Se të rrish pa bërë gjë je i huaj për stinët, dhe largohesh nga rrugëtimi i jetës që përparon i madhërishëm me përulje krenare drejt pafundësisë.
Kur punon, je si flauti që përmes zemrës së të cilit pëshpërima e orëve kthehet në muzikë.
Cili prej jush do të donte të ishte një kallam memec, kur të gjithë të tjerët këndojnë njëzëri?
Gjithnjë Ju është thënë se puna është një mallkim dhe lodhja një fatkeqësi. Por unë ju them se kur punoni, përmbushni një pjesë nga ëndrra më e përparuar e Tokës, që ju besua juve, kur ajo ëndërr lindi. Dhe, duke mbështetur veten tuaj me punë, dashuroni në të vërtetë jetën, Dhe, që duke dashuruar jetën në punë, ju jetoni ngushtë me sekretin më të thellë të jetës.
Por, nëse në vuajtjen tuaj thoni se, që lindët është një torturë dhe se të sforcosh mishin është një mallkim i shkruar në ballë, unë ju them se asgjë veç djersës së ballit do të lajë atë që aty është shkruar.
Ju kanë thënë edhe se jeta është e errët dhe në lodhjen tuaj u bëni jehonë çka thanë të lodhurit.
Ndërsa unë ju them se jeta është vërtetë errësirë nëse në të s'ka gjallëri.
Dhe se çdo lëvizje është e verbër, nëse nuk ka dituri,
Dhe se çdo dituri është e kotë, nëse nuk ka veprim,
Dhe se çdo veprim është bosh, nëse bëhet pa dashuri.
Kur punoni me dashuri lidhni veten me vetveten dhe me njëri-tjetrin, dhe me Zotin.
Po çfarë është të punosh me dashuri?
Eshtë të thurësh pëlhurën me fijet e zemrës, sikur do ta vishte ajo që dashuroni.
Eshtë të ndërtosh një shtëpi me dashuri, sikur kush dashuroni, në të do të jetonte.
Eshtë të mbjellësh me ëmbëlsi dhe të korrësh grurin me gëzim, sikur, kush dashuroni, do ta hante.
Eshtë të mbruni çdo gjë që bëni me frymën e shpirtit tuaj,
Eshtë të dish se të gjithë të vdekurit e bekuar ju rrinë përreth dhe ju vëzhgojnë.
Ju kam dëgjuar shpesh të thoni, sikur flisni në gjumë, Kush skalit mermerin dhe atje gjen formën e shpirtit të tij, është më fisnik se kush punon tokën; Dhe kush kap ylberin dhe e shtrin në një telajo në ngjashmëri të njeriut, është më i madh se kush bën sandale për këmbët tona.
Ndërsa unë, jo në gjumë, por në zgjimin më të qartë të ditës, ju them se era nuk i flet më hyjshëm lisave gjigandë se fijes së vogël të barit; Dhe se i madh është vetëm kush transformon zërin e erës në një këngë të bërë më të ëmbël nga dashuria e tij.
Puna është dashuria që bëhet e dukshme.
Nëse nuk mund të punoni me dashuri, por vetëm pa qejf, atëherë është më mirë ta lini punën, dhe uluni në derën e tempullit për të pranuar lëmoshën e kujt punon me gëzim. Sepse, nëse bëni bukën me indiferencë, do të bëni një bukë të hidhur që ushqen vetëm përgjysëm. Dhe nëse shtypni rrushin me dembelizëm, dembelizmi juaj do të distilojë helm në verë. Por edhe nëse këndoni si engjëj, por nuk e dashuroni këngën, do të mbyllni veshët e njeriut ndaj zhurmave të ditës dhe të natës.
Shkëputur nga libri Profeti i Kahlil Gibran