Pas krizës ekonomike të vitit 2008 që mbërtheu Bashkimin Evropian dhe faktit që emigracioni është ciklik dhe me kalimin e dekadave i zbeh deri sa i humbet lidhjet me vendin e origjinës, qoftë edhe në aspektin ekonomik, doli në pah qartë se shtylla ekonomike që do të zinte vendin e remitancave në Shqipëri do të ishte turizmi, me dallimin se kjo shtylle do të ngulitej në tokën e saj dhe jo gjetkë.
Ato peizashe natyrore, qoftë malore apo bregdetare të Shqipërisë që kanë mbetur ende të paprekura, apo të egra sikurse parapëlqejnë t’i quajnë të huajt, janë kthyer në një atraksion më vete dhe nga viti në vit kanë njohur rritje, qoftë për publicitetin e bërë, qoftë edhe për traditën që po krijohet, me grupime për hiking, climbing, paradigling, bicycling, etj që më përapa nuk ekzistonin.
Një tjetër faktor që ka luajtur rol në favor të Shqipërisë, për ironi të fatit ka qenë terrorizmi botëror. Goditja e disa vendeve të shquara turistike në Mesdhe dhe më gjerë, ka bërë që shumë turistë nga Evropa Lindore dhe jo vetëm, edhe për arsye sigurie t’i drejtohen Shqipërisë së vogël, por të pa prekur deri më sot nga kjo plagë globale.
Me të ardhur në Shqipëri, përveç sigurisë, ata janë njohur me një ofertë më ekonomike dhe me natyrën e egër dhe të pashkelur, çka ka bërë dallimin me disa vende të tjera, ku mbizotëron luksi, fjala bie.
Për të kontribuar në këtë drejtim, kompania The Headhunter, nëpërmjet projektit “People First”, të financuar nga USAID dhe qeveria suedeze dhe ku kompania jonë është gjithashtu bashkëfinancuese, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Shërbimin Kombëtar të punësimit, po zbaton një projekt për trajnimin e 2 mijë të rinjve, të cilët gjatë këtyre dy viteve, do të marrin njohuritë e nevojshme në 8 profesione në fushën e hoteleri-turizmit, në mënyrë që të jenë të gatshëm për tregun e punës.
Trajnimi gjashtë javor për ta është falas nepër Qendrat e Trajnimit Profesional në 5 rrethe të Shqipërisë si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça, ndërsa praktika 1 mujore paguhet nga projekti dhe do të kryhet nëpër hotelet dhe restorantet më të mira në Shqipëri, me të cilat ne tashmë kemi marrëveshje bashkëpunimi.
Kjo do të thotë se burimet njerëzore, pasi të marrin kompetencat dhe të ushtrojnë profesionin, do të kenë një mundësi reale punësimi, duke ndikuar kështu direkt në ngritjen e cilësisë së kulturës së shërbimit në turizëm.
Në këtë kuadër, HH Boutique Hotel, një hotel me tre yje në Dhërmi, në rrugën e ish-kampit, vetëm 300 metra larg bregdetit, do të shërbejë si akademi turizmi, ku të trajnuarit më të dalluar, do të shërbejnë me rrotacion për klientët e hotelit.
Kjo ide, e frymëzuar nga një akademi e ngjashme prestigjoze turizmi në Skoci, është vetëm hapi i parë drejt rritjes së punësimit dhe mbi të gjitha rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimit në këtë sipërmarrje të madhe dhe interesimi i treguar deri tani nga punëkërkuesit e rinj dhe jo vetëm, është një dëshmi e qartë për vullnetin dhe dëshirën e madhe për punë që gëlon te të rinjtë shqiptarë, si dhe për zgjuarsinë e brezit të ri, që ka kuptuar, se e ardhmja në këtë vend është turizmi.
Profesione si kamarier/e, recepsionist/e, barist/e, kuzhinier/e, punonjës/e mirëmbajtjeje, e kështu me radhë, do të marrin të tjera vlera dhe përmasa. Kur burimet e kualifikuara njerëzore që do të dalin nga ky projekt, do të buzëqeshin, do të shërbejnë me përkushtim dhe pasion, do të jenë të trajnuar dhe me një paraqitje dinjitoze, për rrjedhojë, përveç përfitimeve të mëdha ekonomike që do të ketë vendi nga ky mision, që është sigurisht edhe patriotik, do të rriten ndjeshëm edhe pagat e profesioneve të mësipërme, duke i renditur ato ndër profesionet e mirëpaguara të sektorit të shërbimeve dhe jo mes punërave të dorës së dytë, në të cilat shumëkush ndihej i pavlerësuar dhe i pamotivuar.