Në këto ditë të fundit të vitit 2017 dëshiroj të ri-hap një temë shumë të rëndësishme për punëkërkuesit Shqiptarë!
Po lexoja online disa artikuj dhe akuza për disa kompani “punësimi” në tregun tonë të punës. Më erdhi shumë keq të shikoj dhe lexoj një tallje të hapur me punëkërkuesit Shqiptarë. Punësimi ka qenë dhe do mbetet edhe për disa kohë një çështje e nxehtë në vendin tonë. Në shumë raste punësimi përdoret për të bërë para, fituar pushtet, fituar të mira, të bërit humor, apo për të mashtruar!
Shqipëria është vendi i fundit në rajonin e Ballkanit përsa i përket kontrollit që shteti duhet t’u bëjë kompanive të punësimit. Në vendin tonë shikon kompani punësimi që hapen brenda 1 ore, kur për të marrë një liçencë në Maqedoni, kompanisë sonë ju desh më shumë se 1 vit dhe pas 4 vitesh aktiviteti duke ofruar konsulencë në burime njerëzore. Nuk po sugjeroj që edhe në Shqipëri të jetë kaq i gjatë procesi, por të paktën të ketë një sitë vlerësimi dhe integriteti që përfaqësojnë këta persona që krijojnë këto kompani të çuditshme. Kompanitë e punësimit do duhet të kenë të paktën 3 persona në borderonë e tyre në hapjen e kompanisë dhe të kenë një edukim të posaçëm, të kenë një garanci bankare dhe një proces tjetër monitorimi nga shteti. Drejtuesi i zyrës duhet të ketë eksperiencë transparente dhe të aprovuar nga punëdhënësit e mëparshëm, sepse nëse një rekrutues gënjen në CV-në e vet imagjinoni sa i besueshëm do jetë ai/ajo dhe çfarë produkti do i sjellë kompanive dhe kandidatëve.
Ndodhin skandale dhe pastaj pronarë kompanish punësimi që kanë vjedhur shqiptarët arrestohen, ka të tjerë që përgojohen, ka të tjerë që shkelin kontrata dhe hapin kërpudhat e tyre të dështuara të bazuara në mashtrime, ka të tjerë që vjedhin kandidatët me këtë “administrative fee”, çudira ndodhin në vendin tonë, dhe përgjithësisht, me përjashtime shumë të vogla, të gjithë pronarët dhe drejtuesit e këtyre kompanive kanë etikën më të ulët në treg dhe dyshoj shumë se kanë lexuar një libër në jetën e tyre, dhe mendojnë që mund të lexojnë një CV? Ta kuptojnë atë? Të vlerësojnë dikë? Të analizojnë moralin e dikujt, kur janë të pa-moralshëm vetë dhe kanë vjedhur dhe vazhdojnë të vjedhin atë që quhet “pronë intelektuale” të atyre që punojnë?
Nuk dua të zgjatem më, sepse tregu është plot me “bar të keq”, por dëshiroj t’u jap disa këshilla punëkërkuesve:
Para se të intervistohesh nga një kompani punësimi kërko të të tregojne liçencën e aktivitetit, duhet të jenë patjetër kompani punësimi, minimumi dy vite në treg.
Kërko CV-në e rekrutuesit dhe kërko në treg nëse kanë gënjyer për CV-në e tyre, ka shumë që gënjejnë për eksperiencat e tyre. Nuk ja thonë fare si rekrutues, më besoni!
Mos prano të paguash asnjë Lek. Ligji e ndalon pagesën e punëkërkuesve. Nesë ju kërkohen para, denonconi në polici.
Kërko transparencë të procesit, dhe mos prano të jesh thjesht numër.
Kërko informacion mbi kushtet e kontratës që do kesh me punëdhënësin e ardhshëm.
Kërko detaje nga kompania e punësimit nëse kompania për të cilën po ju rekruton është serioze dhe nuk pastron para, nuk mashtron me pagat dhe nuk janë pranë falimentit. Bëni një kërkim tuajin para se të vendosni të punësoheni.
Sa më e vogël dhe e re të jetë kompania e punësimit, aq më shumë rreziqe keni të punësoheni te ndonjë kompani mashtruese apo pa standarte, apo në borxhe, sepse kompanitë e vogla dhe të reja të punësimit duan para dhe bëjnë marrëveshje me cilëndo kompani që ju troket në derë.
Kompanitë që punësojnë jashtë: kontratat shqyrtojini me zyrat e shtetit dhe jepni informacion edhe avokatit tuaj. Mos firmosni menjëherë. Ka kompani serioze që punësojnë jashtë, por ka edhe kompani të vogla që mashtrojnë për të bërë para. Mos bini pre e mashtrimeve dhe dramave në jetën tuaj.
Njihni të drejtat tuaja si shtetas të Republikës së Shqipërisë! Mos u bëni numër për të pasuruar të tjerët që nuk e meritojnë.
Mos pranoni të bëni intervista në ambiente me kamera, ose të paktën të jetë e shkruar dukshëm që jeni duke u regjistruar.
Mos pranoni të bëheni aktorë të ndonjë video apo produksioni të çastit. Procesi i rekrutimit duhet të jetë serioz dhe i pa-anshëm dhe i kujdesshëm.
Si përfundim, duke qenë në këtë treg për shumë vite, ju kërkoj ndjesë për disa “kolegë” që mashtrojnë dhe ju përdorin, më dhemb shpirti të shikoj një ish-pastruese (me gjithë respektin për këtë profesion të nderuar) të jetë rekrutuese, më vjen keq të shoh një mashtruese pas një kompanie fantazmë që vjedh para dhe ju mashtron me punësime jashtë, më vjen keq që ka rekrutues që vetëm të tillë nuk janë, dhe ju vendosin të ardhmen tuaj!
Unë jam këtu, denonconi te unë çdo ngjarje apo padrejtësi, do jem pranë jush në çdo hap kundër këtyre hajdutërve dhe mashtruesve, bashkë do bëjmë denoncimet në polici, bashkë do shkojmë në zyrat e shtetit.
Denonco tani dhe kërko karrierën tënde të pastër dhe të sigurtë!
Elton ILIRJANI